26 Prill 2024

U ndanë grantet për 12 bizneset mitrovicase

Mitrovicë, 12 prill - Gjatë një ceremonie të organizuar të premten në Parkun e Biznesit në Mitrovicë, janë ndarë certifikatat për 12 biznese që kanë përfituar grandet në kuadër të garës së biznesplaneve.

Kjo garë është organizuar në kuadër të projektit të financuar nga Bashkimi Evropian “Menaxhimi dhe zhvillimi i Parkut të Bizneseve” dhe implementohet nga Komuna e Mitrovicës dhe Prishtina REA.

Drejtori për Financa dhe Zhvillim Ekonomik në Komunën e Mitrovicës, Rrustem Abiti, tha se qëllimi i projektit  “Menaxhimi dhe zhvillimi i Parkut të Bizneseve”, është ndihma për bizneset që veprojnë këtu

“Njëri nga aktivitet e projektit ka qenë edhe ndërtimi i objektit menaxhues, trajnimi për biznes, vizita e bizneseve në Turqi si dhe garat në biznesplane”.

Ai sqaroi se fondi total për këtë garë ka qenë 50 mijë, përderisa shuma maksimale e grandit ka qenë 5 mijë euro.

“Përfitues janë bizneseplanet e sektorëve të ndryshëm që funksionojnë në Mitrovicë”.

Të pranishmëve ju ka drejtuar me një fjalë rasti edhe nënkryetari i komunës, Riza Haziri, i cili ka falënderuar Komisionin Evropian për mbështetjen e zhvillimit të Parkut të Biznesit në Mitrovicë.

“Jemi shumë të lumtur me arritjet e këtyre bizneseve që padyshim janë duke ndikuar në përmirësimin e gjendjes ekonomike dhe hapjen e vendeve të reja të punës”.
 
Në emër të Zyrës së Komisionit Evropian në Kosovë, foli Dardan Sadriu, i cili shprehu besimin se ky projekt ka ndikuar si është më se miri në formësimin e Parkut të Bizneseve.

“Tri vite më parë ekzistonte një numër i vogël i njerëzve që besonin në zhvillimin dhe menaxhimin e Parkut të Biznesit, ndërsa tani shohim një zhvillim shumë dinamik”.

Një fjalë përshëndetëse e mbajti edhe ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, i cili shprehu kënaqësinë për zhvillimet pozitive në fushën ekonomike në Mitrovicë.

Në këtë ceremoni ishte i pranishëm edhe zëvendësministri i Zhvillimit Ekonomik, Berat Luzha.

Në kuadër të kësaj ceremonie u hap edhe një panair i bizneseve prodhuese të Mitrovicës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)