19 Prill 2024

OEK dhe OEAK adresojnë shqetësimet e komunitetit të biznesit

Prishtinë, 30 nëntor - Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë në një konferencë për media ripërsëritën thirrjet e tyre të mëhershme për një pako gjithëpërfshirëse fiskale e cila do të ishte stimuluese për zhvillimin e sektorit të prodhimtarisë në vend.

Duke shprehur shqetësimin e tyre se shumë prej mallrave apo lëndëve të para të propozuara për lirim nga detyrimet doganore nuk janë përfshirë në versionin e dytë të projektligjit që tashmë u është dërguar deputetëve, të dyja Odat u bënë thirrje Ministrisë së Financave, komisionit përkatës parlamentar, deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës që të marrin parasysh kërkesat e komunitetit të biznesit për të zgjeruar listën e produkteve në projektligjin në fjalë.

Udhëheqësit e dy organizatave më të mëdha të biznesit të vendit Safet Gërxhaliu, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, dhe Arian Zeka, drejtori i Odës Ekonomike Amerikane, kërkuan që “lista e produkteve të liruara nga obligimet doganore në projektligj të jetë gjithëpërfshirëse e jo selektive,” veçanërisht duke pasur parasysh eksportet gjithnjë e më të ulët të vendit dhe rritjen e ndjeshme të importeve.

Gërxhaliu tha se pavarësisht premtimeve se nga detyrimet doganore do të lirohen të gjitha lëndët e para që nuk kanë mundësi të prodhohen në Kosovë, kjo nuk ka ndodhur, duke theksuar se Ministrisë së Financave i është dërguar një listë prej 400 mallrash.

Ndërsa Zeka tha se rëndësia e një kërkese të tillë bëhet më e madhe duke e ditur shkallën e zhvillimit të kompanive vendore, ambientin afarist në të cilën ato veprojnë, dhe politikat fiskale të cilat janë zhvilluar nga politikëbërësit në vend, dhe faktin që Kosova vazhdimisht është ballafaquar me deficit të lartë tregtar, duke treguar një varshmëri të lartë në importe dhe kapacitet të vogël prodhues dhe eksportues.

Ndër kërkesat e komunitetit të biznesit që janë paraqitur para zyrtarëve relevantë qeveritarë e që nuk janë marrë parasysh janë qymyri për prodhimin e avullit, petrol koksi, tullat refraktare, mëlmesa për çipsa, vaji i pallmës, kafja e gjelbër, e shumë të tjera, të cilat vërtetë nuk mund të prodhohen në Kosovë.

Këtu theksohet se përfshirja e produkteve të sipërpërmendura, por edhe të produkteve tjera që shërbejnë si lëndë e parë dhe nuk mund të gjinden në Kosovë, në listën e produkteve të liruara nga detyrimet doganore në import, do t’i jep shtysë sektorit të prodhimtarisë në vend, duke e bërë atë më konkurrues në treg me prodhuesit e tjerë në rajon, dhe do të rrisë potencialin e prodhuesve të Kosovës për eksportim të produkteve me vlerë të shtuar drejt vendeve tjera.

Në të njëjtën kohë udhëheqësit e të dyja odave shprehën edhe shqetësimet e tyre lidhur me disa çështje të tjera me të cilat po përballet së fundmi sektori privat në Kosovë.

Në këtë kontekst Gërxhaliu adresoi çështjen e vendimit të doganave që u është përcjellë shumë bizneseve për mbylljen e depove doganore, duke theksuar se kjo vetëm sa do të vështirësojë edhe më tej punën e tyre.

Ai poashtu përmendi edhe rastet e kthimit të shumë investitorëve të huaj nga ana e autoriteteve policore e kufitare të Kosovës, sidomos atyre që vijnë nga vendet e lindjes, duke potencuar se kjo bie ndesh me përpjekjet e institucioneve dhe ngjarjet e ndryshme që po organizohen jashtë vendit për promovimin e investimeve të huaja. Poashtu u theksua edhe rëndësia e promovimit të stimujve të ndryshëm për tërheqjen e investimeve të huaja direkte.

Të dyja odat ngritën edhe problemin e tregtimit me Bosnjë dhe Hercegovinën dhe mospranimin e dokumenteve të këtij vendi nga ana e autoriteteve të Kosovës, siç janë certifikatat e veterinës, të cilat vështirësojnë qarkullimin e lirë të mallrave, por edhe u shkaktojnë humbje ndërmarrjeve kosovare, për shkak se maunet e shumë prej tyre tash e disa ditë po presin nëpër vendkalimet doganore, pa qenë në gjendje të marrin një trajtim të duhur.

Ato theksuan se problemet politike në asnjë moment nuk duhet të jenë pengesë e bashkëpunimit ekonomik.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)