20 Prill 2024

Shqipëri - Kosovë, marrëveshje në fushën e punësimit

Prishtinë, 5 qershor - Firmoset marrëveshje bashkëpuinimi në fushën e punësimit dhe çështjeve sociale mes Ministrisë së Punës Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta të Shqipërisë dhe Ministrisë së Punës dhe Mirëqënies Sociale të Republikës së Kosovës.

Marrëveshja e cila ka si qëllim dhënien e kontributit për mirëkuptimin e ndërsjelltë dhe për forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve u firmos sot në Tiranë nga Ministri i Shqipërisë Spiro Ksera dhe homologu i tij nga Republika e Kosovës, Nenad Rašić.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes, Ministri i Punës i Shqipërisë, z.Spiro Ksera u shpreh se “kjo marrëveshje është shumë e rëndësishme për të dy vendet, veçanërisht në këtë moment kur kriza ekonomike ka prekur shumë vende të Evropës, pasi i jep frymëmarrje të re tregut të punës dhe harmonizon politikat në fushën e punësimit dhe mbrojtjes sociale mes dy vendeve”. 

Ministri Ksera vuri në dukje se pavarësisht krizës, Shqipëria vazhdon të njohë rritje ekonomike pozitive, falë masave dhe politikave të ndërmarra nga Qeveria e Shqipërisë. “Nënshkrimi i Marrëveshjeve të tilla që synojnë forcimin e bashkëpunimit me vendet e rajonit në fusha të ndjeshme si ajo e punësimit, marrëdhënieve të punës dhe politikave sociale do të bëjë që së bashku të mund të përballojmë me sukses rreziqet që vinë nga jashtë”, u shpreh Ministri Ksera.

Duke marrë shkas nga fakti se në krye të Ministrisë së Punës së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës ndodhen përfaqësues të minoriteteve në vendet përkatëse - Ministri Spiro Ksera, përfaqësues i minoritet grek në Shqipëri dhe Ministri Nenad Rašić, përfaqësues i pakicës serbe në Kosovë, - Ministri Spiro Ksera vuri në dukje se niveli i lartë i bashkëpunimit mes dy ministrive të punës, finalizuar me marrëveshjen e nënshkruar sot, është tregues domethënës i kontributit të veçantë të vet minoriteteve në forcimin e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit dhe krijimit të një klime paqeje, stabiliteti dhe mirëkuptimi të ndërsjelltë.

Njëjtë u shpreh edhe Ministri i Punës së Kosovës, z. Nenad Rašić, i cili theksoi se “varfëria nuk ka etni apo komunitet, ajo mund të hyjë në çdo familje dhe mund të shkaktojë dëme të mëdha në shoqëri”.

“Marrëveshja e nënshkruar sot, tha Rašić, na forcon akoma përballë krizës që ka përfshirë sistemet ekonomike të disa prej vendeve më të zhvilluara në botë”.

“Ne, nënvizoi ministri nga Kosova, jemi dy vende të vogla, prandaj nuk mund të lëvizim vetëm dhe të përballemi të vetëm me rreziqet që ofron ekonomia botërore, andaj kjo marrëveshje, ky bashkim, na forcon përballë këtyre probelamtikave”, përfundoi ai.

Dokumenti i nënshkruar sot nga titullarët më të lartë të ministrive përkatëse të punës, parashikon bashkëpunimin e drejtëpërdrejtë të institucioneve përgjegjëse të hartimit dhe përafrimit të legjislacionit në fushat e punësimit dhe formimit profesional, legjislacionit të punës, inspektimit të punës, dialogut social, mbrojtjes sociale, migracionit dhe riintegrimit të emigrantëve të kthyer dhe integrimit evropian.

Në zbatim të protokollit, i cili e shtrinë efektin në katër vitet e ardhshme, do të përgatiten dhe miratohen plane veprimi konkrete një vjeçare.

Në vazhdën e vizitës së tij, delegacioni i Republikës së Kosovës nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, zhvilloi një takim me Kryeministrin e Shqipërisë z. Sali Berisha.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)