19 Prill 2024

BE dhe Kosova diskutojnë për Transportin, Mjedisin dhe Energjinë

Bruksel, 24 maj - Komisioni Evropian (KE) dhe Qeveria e Kosovës mbajtën takimin e tyre të rregullt të Dialogut për Procesin e Stabilizim-Asociimit (DSA) lidhur me Transportin, Mjedisin, Energjinë dhe Zhvillimin Rajonal.

Në takim u shqyrtuan një varg politikash, ku ekzistojnë pjesë të rëndësishme të legjislacionit evropian, dhe të cilat ka gjasa të jenë të rëndësishme në studimin e fizibilitetit që Komisioni do ta publikojë më vonë, gjatë këtij viti, mbi gatishmërinë e Kosovës për të negociuar një marrëveshje (Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit) me BE-në.

Sa i përket mjedisit, u morën parasysh përpjekjet e institucioneve të Kosovës, krahas sfidave të konsiderueshme e ashpra mjedisore, dhe me një buxhet jashtëzakonisht të vogël që i dedikohet kësaj fushe: qytetarët e Kosovës meritojnë që të përfitojnë nga standardet e njëjta mjedisore sikur homologët e tyre në pjesën tjetër të Evropës.  

Si hap i parë drejt përmirësimit të cilësisë së ajrit, Kosova është duke zhvilluar një rrjet stacionesh për monitorimin e cilësisë së ajrit.

Ligjet e ardhshme për ujin dhe mbeturinat do të paraqesin një kornizë për implementimin e standardeve evropiane, për shembull sa i përket cilësisë së ujit të pijes dhe përmirësimit të kapacitetit të Kosovës për grumbullimin e hedhurinave dhe po ashtu për fillimin e riciklimit të tyre.

Për plotësimin e këtyre standardeve do të nevojiten investime të konsiderueshme. Përveç kësaj, niveli i pagesës së faturave për ujë dhe mbeturina ende mbetet papranueshmërisht i ulët.

Në sektorin e transportit, Kosova vazhdon të tregojë progres të vazhdueshëm në implementimin e standardeve që kanë të bëjnë me transportimin e mallrave, të cilat do t’u ndihmonin sipërmarrësve kosovarë të transportit rrugor që të tregtojnë për në BE dhe nga BE-ja.

Projekti për përmirësimin e rrugës 7 po zhvillohet në vazhdimësi, mirëpo efektet e tij në buxhetin e Kosovës janë të konsiderueshme, dhe Kosova duhet të marrë parasysh mësimet e mësuara ashtuqë të zgjedh opcionin me kosto më të mirë për rrugën 6.

Përveç kësaj, Kosova duhet ta balancojë këtë me nevojën për zhvillimin e transportit hekurudhor, tani që rregullat e BE-së për ndarjen e menaxherit të infrastrukturës hekurudhore nga operatori i shërbimit hekurudhor janë implementuar. Progresi i Kosovës në aviacion ka qenë i admirueshëm, madje edhe nëse duhet t’i kushtohet vëmendje pyetjeve të veçanta për Sigurinë e Aviacionit.

Sa i përket energjisë, BE-ja e mbështet strategjinë për energji të Kosovës dhe planin për ndërtimin e një termocentrali të ri linjiti, i cili plotëson normat aktuale dhe të ardhshme të BE-së.

Kjo do t’i lejojë Kosovës mbylljen e termocentralit tejet ndotës, Kosova A, dhe Kosova ka konfirmuar që është zotuar për mbylljen e hershme të tij më së largu deri në vitin 2017. BE-ja është duke financuar një projekt që ndihmon përgatitjen e kësaj mbylljeje.

Përveç kësaj, Kosova do të duhet të favorizojë zhvillimin e burimeve të ripërtërishme të energjisë (veçanërisht atyre të ujit dhe erës), për të promovuar efikasitetin e energjisë dhe për të zvogëluar kërkesën, si dhe për të pasur një kornizë rregullative të fuqishme dhe të pavarur, e cila mund të balancojë nevojën për tërheqjen e investitorëve (në gjenerim të energjisë, mirëpo edhe në shpërndarje të saj) me të mbajturit e një tregu të hapur dhe sigurimin e marrëveshjeve më të mira për konsumatorët.

Kosova është përmirësuar dukshëm në nivelin e faturimit dhe inkasimit të energjisë, mirëpo niveli ende është tepër i ulët duke ditur që vitin e kaluar rreth 29% e energjisë së prodhuar nga KEK-u nuk është paguar fare.

Sa i përket zhvillimit rajonal, Kosova ka specifikuar masat që do të ndërmerren për t’u lejuar komunave marrjen e kompetencave që janë decentralizuar për to. Kjo përfshin zhvillimin e stafit për kryerjen e këtyre detyrave, aftësinë për të menaxhuar buxhetet e tyre (si dhe për të rritur të hyrat shtesë).

Në takim u diskutuan edhe çështjet e ndërlikuara si, mënyra për trajtimin e qiradhënies së tokës ose mënyra se si komunat i japin lejet.  

BE-ja ka dhënë ndihmë të konsiderueshme në këto fusha dhe kjo asistencë ka qenë e rëndësishme për përmirësimin e kapacitetit të Kosovës për plotësimin e standardeve të BE-së në këto fusha.   

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)