19 Prill 2024

Beogradi mirëpriti ambasadorët e rinj

Beograd, 16 dhjetor - "Youth Reconciliation Ambassadors" (Ambasadorët e Rinj të Pajtimit) quhet seminari i organizuar nga organizata serbe "Youth Education Committee" (Komiteti i Edukimit të të Rinjve) dhe i sponzoruar nga Ambasada Britanike në Beograd.

Në konferencën e mbajtur në Beograd, morën pjesë 20 pjesëmarrës nga Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Serbia. Nga Kosova morën pjesë 5 të rinj, 2 prej të cilëve nga Gjilani.

Konferenca pati një agjendë të ngjeshur 4 ditëshe. Në kuadër të programit pati takime zyrtare me Ministrin e Integrimit Europian të Serbisë Branko Ružić, zv. Kryeparlamentarin Žarko Korać, Delegatin e Bashkimit Europian në Serbi Michael Devenport, Ambasadorin e Kroacisë në Beograd Gordan Markotić, e shumë takime tjera.

Mejdi Sadiku, Ambasador nga Gjilani deklaroi: "Ishte një vizitë shumë e mirë, prej së cilës mësuam shumë në pajtim regjional. Patëm vizita të ndryshme zyrtare e ligjërata të rëndësishme në lidhje me krime lufte, gjenocid, pajtim regjional, të drejtat e njeriut, integrime europiane etj."

"Mbi të gjitha krijuam lidhje të ndryshme me të rinj nga Ballkani me të cilët ky nuk do te jetë bashkëpunimi i fundit, por do të vazhdojmë të bashkëpunojmë. Kemi një plan të gjerë si do të bashkëpunojmë për pajtim regjional, por le të mbetet kjo një surprizë për të gjithë deri sa të realizohet ideja", shtoi Sadiku.

Ndërkaq, Liza Gashi, Ambasadore tjetër nga Gjilani tha: "Vizita studimore në Beograd ishte një mundësi shumë e mirë për të shkëmbyer ide dhe eksperienca të ndryshme me të rinjtë tjerë nga regjioni”.

“Poashtu gjatë kësaj vizite ne patëm mundësi të analizojmë të kaluarën nga këndvështrimet e ndryshme dhe të diskutojmë të ardhmen e Ballkanit në Bashkimin Europian dhe çka ne të rinjtë mund të ndihmojmë në këtë proces", përfundoi Gashi.

Mërgime Kajtazi, Ambasadore nga Mitrovica u prononcua me këto fjalë: “Ka qenë eksperiencë e paharrueshme për mua vizita në Beograd. Kjo vizitë studimore më ka bërë të kuptoj shumë gjëra lidhur me luftën që ka ndodhur në regjion dhe shumë më shumë gjëra lidhur me procesin e pajtimit që ne si shtete të barabarta duhet t'i kalojmë”.

Ambasadori nga Prishtina, Veton Breznica tha: “Bashkëpunimi rajonal është i një rëndësie të veçantë, e sidomos duke mos harruar historinë e dhimbshme në mes të vendeve tona. Sidoqoftë, duhet theksuar se vërehet një tendencë miqësie në mes gjeneratave të reja të shteteve të Ballkanit që të krijohen marrëdhënie më të mira e të ketë bashkëpunim përderisa politikanët tanë i zgjedhin problemet tona të tjera shtetërore.”

Për fund, Ambasadori tjetër nga Prishtina, Krenar Shala deklaroi: “Unë kujtoj që debati i mirëfilltë, objektiv, dhe pa emocione, shënon fillimin e mirëkuptimit në mes të dy popujve komshi, të cilët me pa durim presin që të përmirësohet gjendja ekonomiko-sociale në të dy anët e kufirit. Ky debat është jashtëzakonisht i çmuar pasi mundëson edhe një presion indirekt tek lidershipi politik”.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)